Home EUROPE Albania FOKUS – Varhelyi: COVID-19 çimentoi lidhjen mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

FOKUS – Varhelyi: COVID-19 çimentoi lidhjen mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

FOKUS - Varhelyi: COVID-19 çimentoi lidhjen mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor


TIRANË, 6 maj /ATSH/ – COVID-19 çimentoi lidhjen mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, thotë në një opinion komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

”Në maj, Zagrebi do të mikpriste samitin BE-Ballkani Perëndimor ku, mes të tjerash, liderët do të miratonin një plan ekonomik dhe investimesh për rajonin. Ky plan ishte një nga tre fillesat e qasjes së re që Komisioni Europian zhvilloi për rajonin, për të plotësuar dy të parat: metodologjinë e rishikuar për zgjerimin e BE-së dhe vendimin për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të miratuar nga krerët e BE-së në mars, së bashku me metodologjinë e rishikuar”, thotë Varhelyi.

”Pandemia e COVID-19 nuk e hodhi poshtë këtë plan të parashtruar me kujdes, pasi nuk ndryshoi qëllimin, ambicien dhe vendosmërinë tonë. Kjo mund të kishte ndodhur shumë lehtë pasi pandemia goditi me forcë Bashkimin Europian dhe tërë kontinentin dhe shkaktoi një humbje të paimagjinueshme jetësh njerëzore. Komisioni mori masa të jashtëzakonshme për të mbështetur dhe ndihmuar shtetet anëtare në adresimin e krizës, për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur sistemet shëndetësore dhe për të zbutur ndikimin social-ekonomik. Por, në të njëjtën kohë Komisioni ishte i qartë se pandemia mund të mposhtej vetëm me veprim global dhe duke punuar me partnerët”, thekson ai.

”Askund kjo nuk ishte më e qartë se në Ballkanin Perëndimor, një rajon në zemër të Europës dhe i rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së. Ballkani Perëndimor ishte rajoni i parë ku edhe ky mendim u bë aksion. Pas ditëve të para të vështira, Komisioni ndërmori masa konkrete tashmë në pjesën e dytë të marsit për të ofruar mbështetje për të gjithë partnerët në rajon – Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Masat mbuluan mbështetjen për nevojat e menjëhershme, si dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Masat financiare tani janë të pashembullta me 3,3 miliardë euro grante dhe kredi”, shton ai.

”Ky solidaritet i paparë nuk mbaroi këtu: duke pasur parasysh perspektivën e tij europiane, BE-ja po e trajton Ballkanin Perëndimor si partnere të privilegjuar duke i dhënë atij mundësi për shumë nisma dhe instrumente. Ne i kemi ftuar qeveritë që të bashkohen me marrëveshjen e prokurimit të BE-së për pajisje mjekësore, e përjashtuam rajonin nga autorizimi i eksportit, ndërsa korsitë e gjelbra për të lehtësuar transportin e mallrave u shtrinë në kufijtë me rajonin dhe brenda tij. Rajoni është i lidhur me organet shëndetësore përkatëse të BE-së dhe vendet në negociata do të jenë në gjendje të përfitojnë nga fondi i solidaritetit i BE-së. Në të njëjtën kohë, BE vlerësoi mbështetjen që mori nga partnerët e Ballkanit Perëndimor me personel mjekësor dhe pajisje”, thekson Varhelyi.

”Samiti i Zagrebit tani po ecën përpara me një takim video, por sidoqoftë, ai po shkon përpara. Ne hymë së bashku në këtë krizë dhe duhet të dalim së bashku. Ne do të mbështesim rimëkëmbjen ekonomike të rajonit. Ekonomitë tona janë të integruara ngushtë, dhe plani ekonomik dhe investimet që priten në pjesën e dytë të këtij viti do të jenë edhe më të rëndësishme”, vijon ai.

”Plani do të përqendrohet veçanërisht në transport, energji dhe ekonomi. Në javët dhe muajt e ardhshëm, rajoni mund të frymëzojë këtë plan duke parashtruar plane dhe ide konkrete, dhe duke bashkëpunuar ngushtë. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë do të jenë me të vërtetë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike. Kështu do të vazhdohet edhe me reformat, që do të thotë jo vetëm miratimi i legjislacionit, por zbatimi aktual i masave të marra. Përqendrimi në sundimin e ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administrata publike duhet të vazhdojnë.

Së bashku do ta kapërcejmë këtë krizë dhe do të dalim prej saj më të fortë: pandemia COVID-19 konfirmoi qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit përkundër pandemisë dhe duhet të vazhdojmë për një kontinent europian me të vërtetë të bashkuar”, përfundon opinioni i komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, sipas EWB./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.